Me Vlahovic te Juventusi dhe Gosens tek Interi, merkato italiane ka marrë “flakë”. Ditët e fundit, negociatat kanë shpërthyer edhe në Serie A me dy lëvizje të rëndësishme, që rrallëherë shihen në janar. Sidoqoftë, në Evropë, Barcelona në një krizë të mprehtë ekonomike, ishte në gjendje të merrte Ferran Torres. Po kështu, po tenton lojtarë të tjerë, përfshirë Morata. Për shumicën e njerëzve, veçanërisht tifozët e skuadrave që nuk janë drejtpërdrejt të interesuara, pyetja lind spontanisht: çfarë ndodhi me “Fair Play Financiar”, a ekziston ende?! Përgjigja është “po”. Është në fuqi, por me urdhër të UEFA-s ka pësua modifikim vitin e fundit për të përballuar humbjet e caktuara për shkak të pandemisë Covid- 19.

Ky modifikim ka ndryshuar kartat në tavolinë, duke lehtësuar nga njëra anë një lloj operacioni tregu, por nga ana tjetër ka krijuar edhe një lloj konfuzioni, në të cilin detajet mund të bëjnë diferencën. Për shembull, situata mbetet dramatike për klubet e futbollit të gjysmës së Evropës dhe Seria A nuk bën përjashtim. Duke u ndryshuar vazhdimisht, sipas ecurisë së pandemisë, nuk ka gjasa që rregullat e “Fair Play Financiar” të jenë në modë si deri dy sezone më parë. Fillimisht, rregulli ishte i qartë për të gjithë. “Fair Play Financiar” parashikonte një deficit maksimal prej 30 milionë euro për klubet në tri sezonet para sezonit aktual. Për të lehtësuar llogaritë e klubeve të prekura nga pandemia, UEFA ka shkrirë buxhetet për 2019/20 dhe 2020/21, duke i konsideruar si një në llogaritje, duke e zgjatur më pas periudhën e referencës në katër vitet e mëparshme dhe jo më për tre. Një mënyrë për t’u përshtatur më lehtë brenda parametrave.

Megjithatë, dyshimi mbetet, ose më mirë ai mund të shndërrohet në: a do të rikthehet më i vjetri “Fair Play Financiar”? Në këtë rast, përgjigja është më pak e sigurt dhe mundësia që sanksionet të rishikohen në vitet e ardhshme është dukshëm e lartë. Në gjendjen aktuale dhe me emergjencën që nuk ulet, shumë pak klube në botë mund të respektojnë parametrat e vjetër të vendosur nga “Fair Play Financiar”. Interi, ashtu si edhe Juventusi, në emetimin e bonove të fundit e kanë pranuar dhe vërtetuar këtë rrezik, por situata është pothuajse e njëjtë për të gjithë. Për këtë arsye, ekziston mundësia që në të ardhmen të mund të rishikohet i gjithë sistemi.