Nga Namir Lapardhaja

As vet Sali Berisha nuk e dinte se pse atë të enjte mbrëma pronari i një prej televizioneve më të mëdha në vend, nuk doli si zakonisht ta priste tek hyrja, ashtu siç kishte bërë për një kohë të gjatë me të ftuarit e vet.

Edhe çudi: atë ditë Doktori kishte dhënë udhëzime që, në konfliktin me Rusinë, Ukraina të pajisej me fishekë shqiptarë.

Ndonëse e ulën në rresht të fundit në Kuvend, besnikët e tij kishin negociuar që t’i jepet fjala në foltoren parlamentare. – “Edhe një herë Berishën për procedurë e të ikim ne…” – u lexua në mesazhin e shkëmbyer me drejtuesen e seancës.

Mos ndofta dhënia e dorës së atij deputetit nuk kishte dhënë asnjë efekt.

Televizioni i familjes e kishte “shitur” si diçka të madhe një gjest takimi krejt të rëndomtë.

Gjithçka kishte ndodhur aq shpejt saqë nuk u mor vesh se kush përfitoi nga tjetri.

Mos ai deputeti e kishte pasur me të hedhur…?! Mos fshihej një nëntekst pas atij shtrëngimi duarsh…?! Mos…?!

“O budallenj, jam Sali Berisha unë…” do t’i ketë kaluar në ato çaste Doktorit…

Të mendosh se ai, Sali Berisha, një ndër politikanët më të pushtetshëm në Shqipëri, njeriu që kishte ngritur dhe ulur në karrierë dhjetëra figura; njeriu që kishte pasuruar e u kishte ndryshuar jetën qindra personave; njeriu që kishte ndarë pushtet dhe para për një kohë të gjatë me mijëra të tjerë…, të ndihej i vetmuar dhe t’i gëzohej dhënies kalimthi të një dore.

Kohë të turbullta për Doktorin…. Ç’ishte kjo punë?!

U kishte premtuar demokratëve që nuk do t’i përziente çështjet e tyre me hallin e vet, mirëpo i gallaviti aq keq saqë i ka shtënë në armiqësi me njëri-tjetrin.

U premtoi se do t’u hiqte Lulin dhe do t’u jepte garën… Madje, mblodhi rreth vetes të gjithë ata që nuk donin Bashën me justifikimin se vetëm Doktori mund ta zbojë Lulin, mirëpo bëri bash të kundërtën.

U premtoi Kuvend më 8 dhe Referendum më 18 dhjetor, mirëpo u dha gas dhe hunjë pas shpine më 8 janar të gjithë atyre që besonin verbërisht se urrejtja dhe dhuna mund të legjitimohet nga ideja se “atë punë e di Doktori”.

Kishte qenë dikur e s’ishte më…

Ai, Doktori i madh, që simbolizonte fitoren dhe pronësinë mbi Partinë…

Ai që të gjithë besonin se me një ultimatum mund të trembej Luli e kryesia, me një fishkëllimë mund të mblidhej anëtarësia e shqiptaria, me një shenjë mund të goditej godina dhe selia…

Ai që kishte premtuar një parti më të fortë dhe po i strukte në kotecin e një partiçke të dobët…

Ai që dikur frymëzonte shqiptarët, sot entuziazmonte vetëm një pakicë të margjinalizuar, agresive dhe të verbër.

Një herë e një kohë Doktori kishte qenë tjetër, por sot ai është më i braktisur se kurrë.

Ndonëse media pranë tij, krijon lajm aty ku nuk ka ngjarje dhe njerëzit e tij prodhojnë zhurmë aty ku mbizotëron heshtja, është e dukshme se propaganda po i shteron, kreativiteti po varfërohet, gjetjet figurative janë shndërruar në mëse të zakonshme.

Edhe kur ngrihet me shkop në dorë në mes të emisionit dhe tregon me të madhe se sa shumë e duan, ai vetëm se zvogëlohet në sytë e publikut.

Doktorit do t’i duhej KOHË, mirëpo ajo është e vetmja gjë që nuk ka.

Ai është duke konsumuar vjeshtën e tij politike. Dhe pas vjeshtës dihet…

Ia beh dimri… Me të ftohtin acar…