Bashkia e Tiranës, në kuadër të “Kryeqytetit Evropian të Rinisë”, do të hapë thirrjet për të gjithë ata të rinj dhe të reja që duan të bëhen pjesë e Policisë Bashkiake. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me strukturat e Policisë Bashkiake, ku deklaroi se një nga vendimet e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të jetë shtimi me 100 djem dhe vajza i numrit të përgjithshëm të efektivëve.

“Duam që ta rrisim skuadrën e Policisë Bashkiake, të kësaj familje që bën një nga punët më të vështira në këtë qytet, me 100 djem dhe vajza të rinj. Duam ta ofrojmë shërbimin njësoj, si në Ndroq, ashtu edhe në Linzë, si në Kashar ashtu edhe në km 29 të Krrabës, ku ndahemi me Elbasanin. Po mbi të gjitha, për fluksin e shtuar të të huajve, delegacioneve, miqve të Shqipërisë dhe të Tiranës, që do të vijnë për rastin e madh ku ne jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se një nga detyrat e policisë Bashkiake gjatë këtij viti do të jetë dhe mbarëvajtja e mbi 1000 mijë aktiviteteve që do të organizohen.

“Nuk mjafton vetëm që të jenë të sjellshëm, që është shumë e rëndësishme, nuk mjafton që të jenë vetëm të vendosur dhe të rreptë, por duhet të dinë edhe anglisht, të dinë të orientojnë një turist të huaj, të ndihmojnë dikë që mund të jetë i huaj dhe ka nevojë për ndihmë mjekësore”, tha Veliaj.

Ai shtoi se sot falë transformimit, Policia Bashkiake është një nga strukturat më të mira në Ballkan dhe me një flotë të modernizuar.