Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës informoi sot lidhur me situatën e motit në vend, deri në orën 18:00.

Në raportin e MIE thuhet se, nuk ka pasur probleme me qarkullimin në akset rrugore.

Sa i përket temperaturave, MIE u shpreh se, moti ka qenë i kthjellët me temperaturat mesatare, që në zonën perëndimore kanë qenë 2 deri 4 gradë, në zonën jugore 6 dhe në zonën verilindore 0-3 gradë.

Sa i përket furnizimit me ujë, MIE thekson se, në bashkitë Bulqizë, Fushë-Arrëz, Mat, Vau i Dejës, ka pasur dëmtime për shkak të ngricave në linjat sekondare, çarje në rrjetin shpërndarës të cilat janë riparuar në kohë rekord. Stacionet e pompimit punojnë në kushte optimale.

MIE njoftoi se ka pasur 27 defekte në rrjetin e tensionit të ulët dhe të mesëm sa i takon furnizimit me energji, si dhe avari në 3 nënstacione në jug. 23 defekte nga këto janë riparuar duke rikthyer energjinë në 51 fshatra.

MIE bën të ditur se, nuk ka pasur asnjë problem në portet dhe aeroportet e vendit.