Një valë e re virozash ka shpërthyer në vend. Është sezoni i gripit ndërsa ftohjet dhe koronavirusi janë të pranishme. Mes viruseve janë në dominancë variantet Delta dhe Omicron.

Simptomat e ftohjes së zakonshme, gripit dhe koronavirusit janë nga më të ndryshmet dhe nga prania ose mungesa e temperaturës, mund të dalloni më lehtë se cila virozë apo virus ju ka rënë.

Simptomat e ftohjes-Sistemi shëndetësor britanik ka veçuar disa nga simptomat më të zakonshme të ftohjes, duke theksuar se ato zakonisht shfaqen gradualisht: ▪ dhimbje fyti ▪ hundë e zënë ose rrjedhje ▪ dhimbje koke ▪ dhimbje muskujsh ▪ teshtitje dhe kollitje ▪ presion në veshë ▪ temperaturë e ngritur ▪ humbje e nuhatjes dhe shijes.

Simptomat janë të njëjta te të rriturit dhe fëmijët, por ato mund të zgjasin më shumë te fëmijët.

Simptomat e gripit-Sipas sistemit shëndetësor britanik, simptomat e gripit janë: ▪ ethet dhe temperaturë mbi 38 gradë ▪ ndjesi lodhjeje dhe rraskapitjeje ▪ dhimbje trupi ▪ kollë e thatë ▪ dhimbje koke ▪ dhimbje fyti ▪ problem gjumi ▪ humbje oreksi ▪ diarre ose dhimbje barku.

Simptomat e koronavirusit-Që nga fillimi i pandemisë, simptomat e koronavirusit kanë ndryshuar, por mjekët kanë veçuar më kryesoret: ▪ temperaturë e lartë ▪ kollë që zgjat ▪ ndryshim ose humbje e nuhatjes dhe shijes

Simptomat e variantit Delta-Duke gjykuar nga të dhënat e mbledhura përmes aplikacionit ZOE, simptomat që shfaqen varen nga fakti nëse jeni vaksinuar dhe sa doza vaksine keni marrë.

Simptomat pas dy dozave të vaksinës: ▪ rrjedhje e hundës ▪ dhimbje koke ▪ dhimbje të fytit ▪ teshtitje ▪ humbje e shqisës së nuhatjes

Simptomat pas një doze të vetme: ▪ dhimbje koke ▪ rrjedhje e hundës ▪ dhimbje të fytit ▪ teshtitje ▪ kollë e vazhdueshme

Simptomat e variantit Omicron-Sipas të dhënave më të fundit nga Londra, ku ka më shumë të infektuar me Omicron në Britaninë e Madhe, shkencëtarët kanë identifikuar pesë simptoma kryesore të këtij lloji: ▪ dhimbje koke ▪ rrjedhje e hundës ▪ lodhje (e lehtë ose drastike) ▪ dhimbje të fytit ▪ teshtitje

Ekspertët theksojnë se simptomat e variantit Omicron janë humbja e oreksit dhe të përzierat, djersitjet gjatë natës dhe zëri i ngjirur.