Sidney Poitier, i pari aktor me ngjyrë që fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë, ka vdekur në moshën 94-vjeçare. Ai fitoi çmimin Oscar me filmin e vitit 1963, ‘Zambakët e Fushës’.

Lajmi për vdekjen e Poitier i ka prekur të gjithë aktorët e Hollywood, ndërsa shumë reagime kanë ardhur edhe nga politikanët, si kryeministri i Bahamas Philip Davis, Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

“I gjithë Bahamas-i ynë është i pikëlluar. Djali që u zhvendos nga ferma, për t’u bërë kamarier në Shtetet e Bashkuara, një i ri që jo vetëm e mësoi veten të lexonte dhe të shkruante, por që e vendosi shprehjen e fjalëve, mendimeve dhe ndjenjave në qendër të karrierës së tij”, tha kryeministri i Bahamas Philip Davis.

“Poitier përfaqësonte dinjitetin dhe kishte talent të veçantë”, tha Obama.

I lindur në Miami, Poitier u rrit në një fermë domatesh në Bahamas dhe u transferua në Nju Jork në moshën 16-vjeçare.

Ai u regjistrua për një periudhë të shkurtër në ushtri dhe bëri disa punë të ndryshme ndërkohë që merrte mësime aktrimi, për t’u bërë një yll i skenës dhe ekranit në vitet 1950 dhe 1960.

Poitier theu barrierat racore në Hollywood. Paraqitja e tij në ‘The Defiant Ones’ në 1958 i dha atij nominimin e tij të parë për Oscar, në vetvete një arritje historike për një zezak në një kategori kryesore në atë kohë.

Pesë vjet më vonë ai fitoi çmimin Oscar me ‘Zambakët e Fushës’, në të cilën luajti rolin e një artizanali që ndihmon murgeshat gjermane të ndërtojnë një kishëz në shkretëtirë.