Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, prof. Rifat Latifi, i shoqëruar mga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizituan sot investimin më të ri që tashmë është vënë plotësisht në funksion, Pediatria e Re e QSUT.

Gjatë vizitës në ambientet e Pediatrisë, ministrja Manastirliu tha se “me ministrin Latifi vendosëm që përveç takimit bilateral të kemi edhe një vizitë në QSUT, në spitalin e sapopërfunduar të Pediatrisë ku janë tre shërbime kryesore: urgjenca, reanimacioni dhe kirurgjia infantile”.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “është një nga investimet që do të bëjë më shumë diferencën në shërbimin pediatrik të specializuar”.

Ministri Latifi dhe ministrja Manastirliu u shprehën se do të forcojnë më tej bashkëpunimin mes dy vendeve tona në fushën e shëndetësisë, për të bërë më të mirën për shëndetin e qytetarëve tanë. Pediatria e re, një investim i qeverisë shqiptare i standardeve evropiane, u përurua në 6 janar të këtij viti dhe do t’i shërbejë mbi 130 mijë fëmijëve në vit.