Varianti Omicron vijon të shënojë shifra rekord infektimesh, teksa në gjithë botën u shënuan mbi 2.5 milionë raste të reja. Në SHBA në 24 orët e fundit janë shënuar mbi 704 mijë raste të reja, shifra më e lartë kjo e raportuar ndonjëherë që prej nisjes së pandemisë.

Shifrat mendohet se janë edhe më të larta, teksa mijëra qytetarë në shumë qytete amerikane presin në radhë për t’u testuar.

Problematike paraqitet situata edhe në spitale të cilat janë vënë nën presionin e rritjes së numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim të specializuar mjekësor, por edhe atyre që janë në gjendje kritike për jetën.

Franca ka thyer çdo rekord të mëparshëm ku sipas ministrit të shëndetësisë Olivier Veran atje janë riregjistruar mbi 332 mijë raste të reja infektimesh me Covid-19 në 24 orët e fundit. Në Itali sipas autoriteteve shëndetësore janë raportuar rreth 190 mijë raste të reja.

Turqia ka shënuar një dyfishim të infektimeve në një javë si pasojë e variantit Omicron i cili është kthyer në variantin dominant atje. Vendi ka shënuar një rekord të ri negativ me mbi 66 mijë raste të reja.

Edhe në Britani shifrat e infektimeve mbeten të larta me mbi 194 mijë raste të reja ditore ku në 24 orë 334 persona kanë humbur jetën nga Covid-19.