Kryeministri Edi Rama ka publikuar ditën e djeshme pyetjen e 12 dhe të fundit të Këshillimit Kombëtar. Një pyetësor 4 faqesh +18 vjeç ku ndodhen 12 çështje të rëndësishme për diskutim, ndërsa kujtojmë se mes tyre përfshihet edhe çështja e legalizimit të kanabisit.

Kreu i qeverisë i ftuar në ‘Open’ mbrëmjen e sotme ka folur rreth këtyre 12 çështjeve që sipas tij janë dilema për qeverinë dhe lidhen po ashtu edhe me partnerë ndërkombëtar.

Rama e quan si një ushtrim të shëndetshëm që lidh qeverinë me njerëzit për vendimmarrje konkrete, ndërsa ka ironizuar me fjalët: “Nuk është një histori bravash që a u thye brava apo u thye bishti i varesë!”

Kryeministri thotë që një prej këtyre pikave përshin edhe dilemën strategjike, siç është bllokimi që po i ndodh Shqipërisë për shkak të Maqedonisë së Veriut.

Rama: Janë çështje që janë dilema vendimmarrje për ne. Kemi një debat të brendshëm për këto çështje. Janë çështje që janë dilema që lidhen me një pozicion me partnerë të tjerë, edhe ndërkombëtar. Besoj se është një ushtrim i shëndetshëm që na lidh me njerëzit, me një vendimmarrje konkrete. Politika në fund të ditës është mundësia që i jepet njerëzve që së bashku të zgjidhim gjëra. Nuk është një histori bravash që a u thye brava apo u thye bishti i varesë!

Nuk është një referendum i kamufluar por një këshillim shoqëror, sepse në tryezën e çdo shtëpie vendosen një sërë dilemash në vendimmarrje për ecurinë e një sërë gjërash që janë të lidhura me njerëzit. Ka dilema të natyrës morale që lidhen me kategori sociale, apo në rastin e dilemave strategjike, bllokimi që i ndodh Shqipërisë për shkak të Maqedonisë. Ne nuk kemi bërë asnjë hap për shkëputjen e kërthizës me Maqedoninë. Ndoshta duhet ta bëjmë këtë hap! 99% e debatit është çfarë tha ky e çfarë tha ai, ndërkohë që jeta e njerëzve është larg atyre gjërave. Kur vjen puna te qeveria 99% është jeta e njerëzve.