Deputeti Enkelejd Alibeaj në një postim në Twitter ka reaguar pas njoftimit të ish-kryeministrit Sali Berisha se në datën 8 janar pritet mbledhja e një proteste jashtë ambienteve të selisë së PD-së.

Alibeaj shprehet se tashmë ka ardhur koha që Berisha të shkojë në shtëpi dhe të lërë demokratët të fokusohen në luftën kundër regjimit të Edi Ramës.

Postimi i plotë:

Nuk ka asnjë protestë të vërtetë të shtunën. Janë klithma të zbehta të një agonie politike, në të cilën duan të tërheqin edhe demokratët. Sali Berisha nuk ka moralitet në këtë ndërmarrje antidemokratike.

Prej gati 4 muajsh është bërë çdo gjë që të zhvendoset objektivi i PD nga përballja me regjimin e Edi Ramës në një luftë të brendshme kundër Lulzim Bashës, për dobësimin e PD dhe të demokratëve.

Pseudoprotesta do të dështojë, si çdo përpjeje tjetër e deritanishme për të marrë peng PD-në për interesin e një njeriu të vetëm!

Është koha që Berisha të shkojë në shtëpi! Të lërë demokratët të fokusohen në të vetmen betejë të vërtetë, atë me regjimin e korruptuar të Edi Ramës për t’i dhënë vendit sa më parë një qeverisje të mirë dhe të drejtë!