Pak orë para nisjes së protestës së thirrur nga Sali Berisha para selisë së PD, Zef Brozi, ish-Kryetar i Gjykatës së Kasacionit në Shqipëri në fillim të viteve ’90, u ka bërë thirrje sot demokratëve që të mos bëhen ‘mish për top të Saliut’.

Ai u kërkon demokratëve të protestojnë paqësisht për të drejtat e tyre, teksa thekson se Berisha nuk do t’i mbrojë dot nëse me urdhër të tij, ata kryejnë akte dhune dhe vihen para drejtësisë.

Sipas Brozit, Berishën nuk e mbron dot më askush ‘për krimet makabre dhe korrupsionin marramendës’, pasi ai përballjen e ka me Amerikën dhe së shpejti edhe me SPAK.

“Demokratë, mos u bëni mish për top të Saliut! Protestues të thirrur nga Sala: Ai nuk ju mbron dot nëse me nxitjen e urdhrave të tij ju do kryeni akte dhune dhe do viheni para drejtësisë. Demokratë: Protestoni paqësisht për të drejtat e juaja, por jo për mbrojtjen e atij qe askush nuk do mundet ta mbroje më për krimet makabre dhe korrupsionin marramendës. Ai përballjen e ka me Amerikën dhe besoj së shpejti edhe me SPAK!”, shkruan ai.

Berisha ka thirrur sot në orën 12:00 protestë para selisë blu për rrëzimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD. Pavarësisht deklaratave se protesta do të jetë paqësore, Berisha tha dje se do të ketë pasoja shumë të rënda për ‘mercenarët që shoqërojnë Bashën’. Nga ana tjetër PD-ja zyrtare flet për skenarë dhune me banditë e kriminelë, e për këtë kanë bërë me dije se kanë marrë edhe masa. Dyert e selisë së PD janë të mbyllura, ndërsa Basha ndodhet në zyrën e tij që prej orës 08:30, ku po zhvillon një mbledhje me Kolegjin e Kryetarëve të PD.