“‘Non grata’ dhe produktet e tij mbetet gjithnjë ‘non grata'”. Ky është qëndrimi i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për primaret e zhvilluara dje nga Sali Berisha, përmes të cilave ai nxori edhe kandidatët në 6 bashkitë që do t’i nënshtrohen zgjedhjeve të pjesshme vendore më 6 mars. Edhe pse tha se mendimi ishte ‘personal dhe jo si kryetar grupi’ duket se në PS nuk shqetësohen fare për sfidën e Berishës.

Balla në një prononcim për mediat nga Kryesia e Kuvendit bëri thirrje edhe një herë që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm në seancë plenare kur të paraqitet për votim projekt amendamenti kushtetues për zgjatjen e afateve të vettingut.

“Iniciativa për organet e vettingut nuk është e PS por domosdoshmëri për ta çuar përpara këtë proces. Vetëdija dhe përgjegjësia e secilit prej deputetëve që të jemi në sallën e Kuvendit dhe ta votojmë”, tha ai.

Sa i përket reformës zgjedhore, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së tha se mazhoranca është në konsultime me Partinë Demokratike, zyrtare u kujdes të nënvizonte ai, për të gjitha detajet.

“Jemi në diskutim me Partinë Demokratike zyrtare, sa i pëtrket mandatit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Nuk duam të ketë ngecje përgjatë aktivitetit të këtij komisioni. Ne duam të ruajmë të njëjtin përcaktim sikurse kemi pasur në komisionet e kaluara që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Ky është detyrim që Shqipëria ka. Edhe opozita duhet të kuptojë se sa më shpejt të fillojë puna aq më mirë është”, tha Balla.

Ndërkohë që i pyetur për denoncimin që bëri deputeti Erion Braçe për pengesat e fermerëve shqiptarë në Serbi, Balla tha se “ministrja e Bujqësisë vazhdon ta ndjekë çështjen ën fjalë për subjektin që ju pyesni. Informacioni nga Serbia po verifikohet. Në këto raste të pritet fjala e autoriteteve”.