Ministria e Brendshme është duke zhvilluar një fushatë ndërgjegjësimi me mbështetjen e projektit “Bashki të Forta” për vetëdeklarimin e adresës së banimit. Prej nisjes së kësaj fushate në fund të muajit nëntor të vitit të shkuar dhe deri më tani, mijëra shtetas shqiptarë brenda dhe jashtë vendit kanë bërë regjistrimin e adresës së banimit duke përdorur të dyja mënyrat. Sigurisht që mënyra e parë dhe më e lehtë është ajo që kryhet në pak minuta përmes portalit “e-Albania”. Kudo ndodheni e në çdo kohë online mund të hyni në këtë portal.
Mënyra e dytë është duke shkuar vetë në zyrat e Gjendjes Civile në bashkinë ku banoni. Bashkitë në të gjithë vendin kanë një rol proaktiv në këtë drejtim duke i nxitur qytetarët të regjistrojnë adresën e banimit. Nëpunës të Gjendjes Civile asistojnë qytetarët për regjistrimin e adresës së banimit.
Nëse e keni një adresë të regjistruar, bëni verifikimin në “e-Albania” nëse ajo është e saktë sipas të gjithë elementëve të miratuar. Regjistri Kombëtar i Adresave idealisht do të jetë burimi i vetëm i saktë dhe i përditësuar për të ditur më në fund kush banon ku. Vetëm duke patur një adresë të saktë banimi ju mund të keni qasje në dhjetra shërbime që ofrohen online.