Më shumë se gjysma e njerëzve në Evropë, priten të infektohen me variantin e ri të koronavirusit, Omicron, në dy muajt e ardhshme.

Kështu të paktën pretendon Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila thotë se nëse infektimet do të jenë me këto ritme, gjasat janë që të ndodhë ky parashikim.

“Me këtë ritëm, Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) parashikon se më shumë se 50 për qind e popullsisë në Evropë do të infektohet me Omicron në gjashtë deri në tetë javët e ardhshme”, tha në një konferencë Hans Kluge, drejtor rajonal për zyrën evropiane të OBSH-së.

Kujtojmë që ky variant i virusit është bërë dominant në Evropë. Vende si Italia, Franca, Greqia dhe Britania e Madhe po regjistrojnë rekorde infektimesh dhe viktimash. Në këto kushte, autoritet e këtyre vendeve kanë marrë masa për frenimin e përhapjes.

Një ndër to, është vaksinimi i detyrueshëm, vendosja e maskave, si dhe puna në shtëpi në ato institucione që e kanë lehtësisht të bëshme këtë gjë.