Partia Demokratike do të mbledhë sot Kolegjin e Kryetarëve. Lajmi u bë i ditur sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i cili tha se mbledhja do të zhvillohet këtë të mërkurë në orën 16:00 në selinë e PD-së. Në fokus mbledhja do të ketë diskutimin mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombëtar të datës 18 Dhjetor.

Miratimi i programit organizativ, Bardhi thotë se nuk u bë dot për shkak të protestës së zhvilluar më 8 janar në selinë blu, ku njëkohësisht po zhvillohej mbledhja e strukturave të PD.

“Të nderuar Kryetarë, datë 12 Janar, ora 16:00 do të zhvillohet mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve të PD për diskutimin mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor “Për miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike”, që nuk u realizua dot për shkak të dhunës në datën 8 Janar. Në mbledhje merr pjese edhe Sekretariati i Partisë. Programi i diskutuar, propozuar dhe miratuar nga Kolegji i Kryetarëve, do ti nënshtrohet më pas miratimit nga Kryesia e Partisë. Me respekt, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi”, thuhet në mesazhin e Bardhit.

Kjo mbledhje vjen tre ditë pas asaj të kryesisë së kësaj partie e cila në përgjigje të protestës së dhunshme në selinë blu ku u shkatërruan një pjesë e mjediseve të saj, mori masa ndëshkuese ndaj 28 anëtarëve të Komisionit të Rithemelit të PD, strukturë e ngritur nga Kuvendi i thirrur më 11 dhjetor nga Berisha, për të drejtuar partinë deri në zgjedhjet e reja, por që nuk njihet nga kryetari Lulzim Basha dhe institucionet e kësaj partie.

Bashkë me Berishën, u përjashtuan nga PD dhe 8 emra të tjerë, mes të cilëve edhe ish presidentin Bujar Nishani apo dhe tre deputetët Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Albana Vokshi. Ndërsa për 19 të tjerë, është vendosur pezullimi i menjëhershëm nga anëtarësia si dhe nga funksionet e tjera në parti.