Dyert e Partisë Demokratike janë të mbyllura për mbështetësit e Sali Berisha. Pas dje një grup i Komisionit të Rithemelimit , me në krye Flamur Nokën, kanë tentuar të hapin çdo derë, por e kanë gjetur atë të mbyllur, sot e njëjta situata e pakëndshme ka qenë për Aldo Bumçin, Gent Strazimirin dhe Ivi Kasos.

Të tre mbështetësit e Sali Berisha thanë se kishin ardhur për mbledhje me strukturat.

“Bashkë me Strazimirin dhe Kason erdhe për takime me drejtuesit e 3 degëve të Tiranës. Këto janë zonat që kemi mbuluar gjatë fushatës dhe kishim caktuar një mbledhje pune. Dhe vend tjetër për ta bërë përveç shtëpisë sonë, PD, nuk kemi tjetër. Por siç e shihni kjo tashmë është shndërruar në një bunker. Kjo gjithmonë ka qenë një parti e hapur. Për herë të parë në 30 vite partia e Lulzim Bashës ka mbyllur dyert. Më thoni një të mirë të kësaj, që opozita të kthehet në burg. Ditën e shtunë opozita do ta çlirojë edhe këtë bunker, do ta kthejë në shtëpinë e madhe të demokratëve”, tha Bumçi.