Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se pandemia e koronavirusit është shumë larg përfundimit dhe paralajmëroi se variante të reja mund të hasen së shpejti. Ai tha se ishte e rrezikshme për vendet të supozonin se Omicron është varianti i fundit ose se “ne jemi në fund të lojës”.

“Ka skenarë të ndryshëm se si mund të zhvillohet pandemia dhe si mund të përfundojë faza akute,” tha ai.

“Por është e rrezikshme të supozohet se Omicron do të jetë varianti i fundit ose se ne jemi në fund të lojës,” shtoi ai. “Përkundrazi, globalisht, kushtet janë ideale që të shfaqen më shumë variante.”

Ai këmbënguli, megjithatë, se “ne mund t’i japim fund Covid-19 si një emergjencë shëndetësore globale, këtë vit”, duke arritur qëllime të tilla si objektivi i OBSH-së për të vaksinuar 70% të popullsisë së çdo vendi, deri në mes të këtij vit, me fokus personat që janë më të rrezikuar nga Covid-19.

Ai theksoi se është më e rëndësishme se kurrë që të vaksinohen të gjithë. “Vaksinat mund të jenë më pak efektive ndaj Omicron, por përsëri bëjnë punë të jashtëzakonshme për të parandaluar vdekjet dhe shtrimet në spitale, duke shmangur mbipopullimin e spitaleve. Kjo pandemi është larg përfundimit, ka gjasa që të dalin variante të reja, prandaj gjurmimi mbetet kritik. Duhet të sigurohemi që t’i ndajmë në mënyrë të barabartë vaksinat. Mund ta mposhtim këtë virus nëse punojmë bashkë”, tha ai.