Sinjale pozitive ka dhënë kryeministri bullgar Kiril Petkov në Shkup, ku ndodhet për një vizitë zyrtare. Ai ka premtuar një dialog të ri e real, ndërsa Kryeministri i sapomandatuar maqedonas tha se kanë rënë dakord që emri “Maqedoni e Veriut” të mos kontestohet.

Dialog të ri, konstruktiv e real ka premtuar kryeministri bullgar Kiril Petkov, gjatë vizitës së kësaj të marte në Shkup. Gjatë konferencës me kryeministrin e sapomandatuar të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, Petkov, foli për një erë të re bashkëpunimi mes dy vendeve tashmë në ngërç.

“Bashkëpunimi Shkup-Sofje do të jetë real. Do të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë dhe të sjellim rezultate të sakta që të u mundësojmë qytetarëve të lëvizin lirshëm. Çdo takim tani e tutje, do të caktohet me qëllime të qarta, rezultate të qarta dhe marrëdhënia miqësore nuk do të jetë vetëm në nivel politik por edhe biznesi, etj. Sot jam një optimist i madh i aktiviteteve të përbashkëta, dhe shpresoj se për secilën palë të ketë rezultate në kohë të shkurtër”, ka thënë Petkov.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se me homologun ka rënë dakord për moskontestimin e emrit “Maqedonia e Veriut”.

“Kjo nënkupton se Bullgaria nuk do ta pengojë emrin e shkurtër në ndonjë proces bilateral, dhe për këtë ka njoftuar Kombet e Bashkuara. Më 25 janar mbledhje e përbashkët mes dy qeverive, do të formohen grupe pune që do të punojnë në projekte konkrete dhe në ndërtimin e raporteve më të mira për një të ardhme më të mire”, tha Kovaçevski.

Takime ka pasur edhe ndërmjet dy ministrave të Jashtëm Teodora Gençovska dhe Bujar Osmani, i cili ka deklaruar se është rënë dakord për tejkalimin e çështjeve të hapura.