Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli. “Jam thellësisht e dëshpëruar për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli. Evropa humbi një politikan e shtetar të shquar, Parlamenti Evropian liderin e tij vizionar, Shqipëria humbi një mik të madh, të rrallë e të çmuar, që ishte, siç u shpreh ai vetë në takimin që patëm para një muaji, ‘zëri i Shqipërisë brenda BE-së’. Ngushëllime familjes! Pushofsh në paqe, i dashur David”, shkruan Nikolla.

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli ka ndërruar jetë në moshën 65 vjeçare. Politikani ishte sëmurë rëndë që prej më shumë se dy javësh duke anuluar çdo lloj aktiviteti. Sassoli ishte shtruar në një spital në Itali muajin e kaluar për shkak të komplikacioneve serioze me sistemin e tij imun. “Sassoli ndërroi jetë në orët e para të martën në një spital në Aviano”, shkroi në Twitter zëdhënësi i tij Roberto Cuillo.

Në shtator të vitit të kaluar, ai u shtrua në një spital në Strasburg ku u trajtua për pneumoni. Pas daljes nga spitali, italiani iu kthye detyrës në nëntor. David Sassoli më herët ka qenë gazetar e më pas është futur në politikë.