Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka ka bërë me dije se kanë marrë një ftesë nga Sali Berisha për të bashkëpunuar për zgjedhjet në bashkitë që nuk kanë një kryetar.

I ftuar në studion e Report TV, Duka ka zbuluar detaje ku ka bërë me dije se Berisha po planifikon krijimin e një koalicioni me aleatët e zhgënjyer të Bashës dhe për të propozuar nga një kandidatë.

“Ne do marrim mendimin e bashkëpunëtorëve dhe kam lënë një takim, mundësitë janë të ndryshme, kemi një sinjal nga grupi i Berishës, nga vetë ai për një farë bashkëpunimi që të nxjerrim kandidaturë të një koalicioni, deri këtu jemi, nga Basha nuk kemi asnjë ftesë, megjithëse koha është shumë e kufizuar, mundësitë janë të ndryshme, mund të marrim vendim për të përkrahur një kandidaturë pavarësisht se kujt kandidature i takon, nga 2 kandidatura mendojmë se është më i mirë me një vlerësim sipas perceptimit tonë, apo njerëzve në terren.

Mund të bëjmë koalicion me një nga pjesët e PD-së, ose të jemi indiferentë, por s’do preferoja të ishim indiferencë, se në fund të ditës në politikë jemi, mund të dalim, unë e kam një ide të tillë që ne të dalim me kandidatë me sigël të PAA, duke qenë se kemi 6 vjet duke marrë përsipër këtë projekt, nëse e shohim veten të aftë të marrim vota në 6 bashki ose disa prej tyre, mund të dalim, edhe për betejë elektorale. Unë vetë? Ka njerëz më me energji, nëse shohim që një nga kandidaturat e Bashës ose Berishës, do e mbështesim”, tha Duka.