Asnjë ndëshkim për Bologna-n që nuk u paraqit për ndeshjen e 6 janarit të kaluar kundër Inter-it.

Ndeshja do të duhet të luhet dhe do të jetë Lega Serie A që do të përcaktojë datën e re.

Ky është vendimi i marrë nga Gjykatësi Sportiv, Gerardo Mastrandrea, i cili ka shtyrë deri brenda 31 janarit vendimin për tri ndeshje të tjera të Serisë A që nuk janë zhvilluar, Atalanta-Torino, Salernitana-Venezia dhe Fiorentina-Udinese, edhe këto të shtyra për shkak të Covid-19.

Pas komunikatës së Gjykatësit Sportiv, Inter ka bërë të ditur se do ta apelojë vendimin.

Sipas Sky Sport, zikaltrit nuk kanë patur mundësi të shikojnë dokumentet dhe do të donin të kuptonin pse ky vendim i Gjykatësit Sportiv është i ndryshëm nga ata të mëparshmit, si në rastin e Udinese-Salernitana, me bardhezinjtë që e kanë fituar ndeshjen 3-0 në tavolinë.