Tiranë, 17 Janar – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar në mbrëmje shërbimin që po ofrohet në qendrën Shëndetësore Kombinat, një nga 4 qendrat shëndetësore ku ofrohet shërbim 24 orësh për urgjencat pediatrike.

“Për Tiranën kemi vendosur që katër qendra shëndetësore, sikurse është dhe qendra shëndetësore në Kombinat, do të ketë një shërbim 24 orë në 7 ditë të javës për urgjencat pediatrike. Padyshim është një lehtësi për të gjithë prindërit që duan të kenë vizita shumë më shpejt, se sa të shkojnë deri në pediatri për të pasur një konsultë tek mjeku”, tha Manastirliu. Ministrja Manastirliu ka apeluar prindërit të drejtohen në qendrat shëndetësore.

“Për të gjithë prindërit është një lehtësi fakti që mund të kenë një pikë shëndetësore afër vendbanimit, afër lagjeve të populluara ku marrin një shërbim të shpejtë, jo vetëm konsultë por edhe terapi bazë mjekimi, kur nuk kërkohet trajtim i specializuar spitalor”, tha Manastirliu. Përgjatë gjithë periudhës së dimrit Qendra shëndetësore nr. 6 në Kombinat, qendra shëndetësore nr. 7 në Laprakë, qendra shëndetësore nr. 8 pranë sheshit Wilson dhe qendra shëndetësore nr. 10 në zonën e Oxhakut do të ofrojnë shërbim 24 orë për urgjencat pediatrike.