Romelu Lukaku mund të ribashkohet me Antonio Conten në Tottenham gjatë verës, pasi ndihet i palumtur në Chelsea.

Përfaqësuesi i Belgjikës Lukaku i ka prishur marrëdhëniet me klubin e vet Chelsea, duke i zemëruar drejtuesit dhe tifozët me deklaratat e tij në një intervistë për Sky Sport Italia.

Si pasojë, trajneri i Chelseat Thomas Tuchel e la Lukakun jashtë skuadrës së tij për përballjen me Liverpoolin të dielën në Premierligë, që u mbyll baras 2:2.

Megjithëse u kthye në Chelsea vetëm pesë muaj më parë nga Interi në një marrëveshje të majme prej 115 milionë eurove, Lukaku duket se dëshiron ta gjejë një rrugë largimi nga Stamford Bridge.

Sipas Gazzetta dello Sport, 28-vjeçari dëshiron të ribashkohet me Antonio Conten në Tottenham gjatë verës.

Conte e kishte sjellë Lukakun në Inter nga Manchester Unitedi në verën e vitit 2019 dhe së bashkua ata e fituan titullin në Serie A me zikaltrit sezonin e kaluar.

Trajneri italian kishte luajtur rol kyç për t’i ndihmuar Lukakut të rritet për t’u bërë ndër sulmuesit më të mirë në botë sot.

Largimi i Contes nga Interi e kishte prekur belgun, i cili pak muaj më vonë u largua edhe vetë.