Nëse ka një gjë, në të cilën PSG nuk shkëlqen, është merkatoja në dalje (shitjet). Që prej kthimit të Leonardo në klub, në vitin 2019, skuadra pariziene ka treguar se di më mirë të shpenzojë sesa të rimbursojë. Dëshmi për këtë është viti i fundit. Sipas “L’Équipe”, drejtori sportiv i kishte vendosur vetes synimin që të siguronte 100 milionë euro nga shitjet gjatë vitit aktual (i cili zgjat nga qershori 2021 deri në qershor 2022) për të lehtësuar humbjet prej 200 milionë euro nga sezoni i kaluar. Realiteti është se klubi ka mundur vetëm të huazojë lojtarë në merkaton e dimrit.

Transferimet e Rafinha te Real Sociedad dhe Sergio Rico te Mallorca janë deri më sot të vetmet lëvizje që PSG ka bërë për të lehtësuar grupin e madh që ka në dispozicion. Edhe pse Junior Dina-Ebimbe praktikisht e kishte bërë këtë me Bayer Leverkusen (huazim), mesfushori duhet të rinovojë përpara se PSG të vendosë një opsion më të lartë blerjeje në marrëveshje. Aktualisht, PSG nuk ka oferta të konsiderueshme për asnjë nga anëtarët e skuadrës. Abdou Diallo ishte i lidhur me Milanin, por pretendimet e larta të Leonardos e ndërprenë operacionin. Dagba nuk shkoi përfundimisht te Saint-Étienne (një ofertë nga Venecia u refuzua) dhe lojtarë si Gueye, Paredes apo Ander Herrera, të përmendur në disa operacione, kanë refuzuar kategorikisht të largohen nga Parisi në mes të sezonit.

Ndërkohë, sipas informacioneve të “L’Équipe”, prioriteti i PSG-së për merkaton e radhës është Paul Pogba. Kontrata e mesfushorit të Manchester United skadon në qershor dhe nuk është sekret që Al Khelaïfi dhe Leonardo e kanë ndjekur atë prej shumë kohësh. Rinovimi i tij me “Djajtë e Kuq” nuk avancon, ndaj mundësia e tregut (marrja falas) është unike për klubin parizien. Nga ana tjetër, gazeta franceze përjashton inkorporimin e Ousmane Dembélé për shkak të dëmtimeve të vazhdueshme që e mundojnë atë.