Pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike si pasojë e Omicron, Kosova sot do të rishikojë masat anti-COVID që janë në fuqi. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë masa të reja shtrënguese.

Sot në Ministrinë e Shëndetësisë do të mblidhen Komiteti për Koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19, Komisioni Këshillëdhënës dhe të gjithë hisedarët tjerë që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Aty pritet të hidhen rekomandime për të propozuar masa të reja, karshi situatës epidemiologjike, të cilat më pas pritet të miratohen nga kabineti qeveritar.

Gjatë dy javëve të fundit ka filluar të rritet numri i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë. Të mërkurën në vend u regjistruan 2 mijë e 50 raste pozitive, shifër kjo më e larta që nga gushti i vitit të kaluar, kur ishin shënuar 2 mijë e 236 raste për 24 orë. Aktualisht në Kosovë janë 7 mijë e 266 raste aktive me koronavirus.

Edhe Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri është mbledhur për të diskutuar planin e masave aktuale për të parandaluar infektimet me Covid dhe pavarësisht rritjes së rasteve, janë lënmë në fuqi të njëjtat masa anti-COVID. Ekspertët kanë kërkuar zbatimi rigoroz të masave në fuqi, mbajtjen e maskës në të gjitha ambientet e brendshme dhe kudo ku nuk ruhet distanca, shmangien e grumbullimeve dhe ruajtjen e distancës për të kufizuar përhapjen e virusit.