Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të diskutojë për herë të parë mbi konfliktin në Ukrainë, pasi akumulimi i trupave ruse pranë kufirit po shkakton spirale të tensioneve me Perëndimin.

SHBA e ka vendosur këtë çështje në rendin e ditës që prej javës së kaluar, pas bisedimeve jozyrtare me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit dhe Ukrainën.

“Presim me padurim diskutimin mbi këtë çështje për të cilën jemi të fokusuar”, theksoi ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield.

SHBA dhe aleatët e tyre perëndimorë kanë paralajmëruar vazhdimisht për një pushtim të mundshëm të Ukrainës nga ana e Rusisë.

Ata kërkojnë tërheqjen e rreth 100 000 ushtarëve rusë nga rajoni kufitar.

Ndërsa diskutimet e sotme nuk pritet të zgjidhin ngërçin, SHBA pritet të përdorë komunitetin ndërkombëtar si levë kundër Rusisë.