Rikthimi në shkolla, kopshte e çerdhe i fëmijëve si dhe rikthimi në punë i administratës shtetërore pas festave të fundvitit solli edhe shtimin e rasteve “pozitive” me Covid-19 në qarkun e Beratit.

Festimet dhe pas asnjë kufizim në natën e ndërrimit të viteve duket se kanë ndikuar negativisht dhe kjo reflektohet qartë në shifrat e larta të testimeve dhe infektimeve në qarkun e Beratit pas datës 5 janar. Çdo ditë, para godinës së ISHP-së Berat shihen me dhjetëra qytetarë që kryejnë tamponin pas rekomandimit të mjekut të familjes, ndërkohë që të shumtë janë edhe nxënësit e shkollave.

Fakti që infektimet tek fëmijët dhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare janë rritur mjaft, u pohua pak ditë më parë edhe nga Shefi i Repartit të Pediatrisë Berat Vladimir Kumaraku, i cili deklaroi se shifrat e infektimeve po rriten dhe se çdo ditë numri i vizitave në këtë repart arrin në 80, ku 10-15% e tyre rezultojnë “pozitiv” pas kryerjes së tamponit.

Sipas burimeve të brendshme në ISHP Berat, infektimet janë shtrirë gjerësisht në çdo institucion, kopsht, çerdhe e shkolla. Më shumë të infektuar janë regjistruar në dy javët e fundit në zyrat e Kadastrës, Tatimeve, Sigurimeve Shoqërore dhe Policinë Ushtarake, ndërkohë që në çdo kopsht e shkollë ka pasur infektime të shumta tek nxënësit, mësuesit dhe edukatoret.

Ashtu si prej ditës së parë të pandemisë Covid-19, specialistët e ISHP-së Berat jo vetëm që refuzojnë të tregojnë shifrat e vërteta të rasteve pozitive, por edhe fshehin numrat për mediat, duke e ditur mjaft mirë që vetëm nga Spitali Rajonal Berat nisen çdo ditë drejt Tiranës me dhjetëra raste të rënda me Covid dhe vdekjet nga Covid në të gjithë qarkun kanë qenë të larta gjatë muajit Janar 2022.
Në një dalje për mediat, specialistja e ISHP-së Berat, Laura Kumaraku, edhe pse nuk deklaron shifra zyrtare shprehet se rastet e infektimeve janë persona të pavaksinuar. Sipas saj, infektimet janë ulur, edhe pse faktet flasin të kundërtën.