Italia pritet të ketë një president të ri të Republikës, pas mbarimit të mandatit të presidentit aktual, Sergio Mattarella.

Duke filluar nga ora 15:00 rreth 1 009 anëtarë të dy dhomave të parlamentit: Dhomës së Deputetëve dhe Senatit do të votojnë së bashku me përfaqësues të rajoneve dhe provincave autonome kreun e ri të shtetit.

Tradicionalisht nuk ka kandidatë zyrtarë në garë, por kryeministri aktual Mario Draghi është konsideruar prej kohësh favorit për postin më të lartë të shtetit.

Duke qenë se ai nuk mund t’i mbajë të dyja pozicionet, negociatat kanë nisur prej javësh në Romë se si të procedohet me qeverinë e tij, në të cilën pothuajse të gjitha partitë kryesore janë të përfaqësuara në parlament.

Kujtojmë se ish-kryeministri Silvio Berlusconi u tërhoq nga gara të shtunën.

As partitë e djathta dhe as spektri i majtë nuk kishin rënë dakord për një kandidat të përbashkët deri të ditën e djeshme.

Kjo e bën të pamundur një vendim në ditën e parë të votimit, pasi kërkohet një shumicë prej dy të tretash për fitore.