Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të hartojë një plan pune për përmirësimin e klimës së investimeve në vend. Ky plan do të hartohet bazuar në rekomandimet e komunitetit të biznesit dhe problematikave të evidentuara gjatë tryezave me biznesin dhe takimeve të ndryshme të punës.

Kjo gjë u bë e ditur nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në mbledhjen e parë të zhvilluar për këtë vit të Këshillit të Investimeve, ku u prezantuan shtyllat kryesore të ndërhyrjes së MFE për përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve në vendin tonë.

“Ne e shohim si shumë të rëndësishëm komunikimin me biznesin. Unë personalisht si ministre jam shumë e angazhuar për tryeza me biznesin, të detajuara e specifike, ku të ulemi sa më shpesh me pjesëmarrjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në mënyrë që të arrijmë bashkërisht të zbatojmë ato reforma që qeveria ka ndërmarrë dhe ka për vizion të ndërmarrë në të ardhmen”, tha Ibrahimaj.

Ministrja informoi se janë gjithsej 194 rekomandime, të cilat janë kategorizuar në 27 tema të identifikuara dhe që përfshijnë 10 ministri, Bankën e Shqipërisë dhe disa institucione varësie.

Disa prej temave të rekomandimeve janë: legjislacioni tatimor, fiskalizimi, kuadri rregullator bankar, tregtia elektronike, ligji i falimentit, tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin, lufta kundër informalitetit, mbrojtja e makrave tregtare, investimet e huaja direkte, etj. Për një pjesë të rekomandimeve ka nisur puna për reflektimin e tyre, pasi janë identifikuar edhe në punën e përditshme të MFE, si fiskalizimi, tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin apo lufta kundër informalitetit.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se gjatë muajit shkurt do të organizohen takime me përfaqësues të ministrive dhe përfaqësues nga shoqatat e biznesit, sipas temave të veçanta, në mënyrë që të analizohen të gjitha rekomandimet.

“Synojmë që të hartojmë planin e punës në fillim të muajit mars dhe të kemi një zbatim të tij deri në fund të muajit qershor. Me zbatim mund të konsiderohet dhe hartimi i propozimit ligjor dhe konsultimi i këtij propozimi ligjor, me qëllim që rekomandimi të zbatohet”, tha ministrja.