Karrige të hedhura nga kati i dytë, xhama të thyer, dritare dhe dyer të shqyera. Kjo është panorama që na vjen nga Partia Demokratike e cila i ngjan një fushëbeteje pas një lufte të ashpër.

Dëmet janë të konsiderueshme nga ajo që ka ndodhur.

Më herët, policia nisi një operacion të gjerë për largimin e mbështetësve të ish-kryeministrit Berisha nga selia e Partisë Demokratike.

Fillimisht është ndërhyrë nga pjesa lindore e saj duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në perimetrin e jashtëm të selisë, ndërsa është marrë nën kontrolle dhe vetë godina.

Më pas, policia ka ndërhyrë edhe nga pjesa që lidh rrugën “Xhorxh Bush” me unazën e Tiranës, duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës në drejtim të mbështetësve të Berishës.

Këta të fundit janë larguar bashkë me Berishën, i cili u pa më herët me një maskë kundër gaz në shkallët pranë selisë së PD-së për të vijuar më pas marshimin në drejtim të kryeministrisë.