Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një lidhje live në emisionin Open në Top Channel tha se janë marrëzira të gjitha akuzat se ai po fortifikon selinë blu.

Sipas Bashës, PD-ja ka vetëm një interes, të jetë e hapur për demokratët dhe se Sali Berisha po i përdor ata si mish për top.

Ai gjithashtu ka ironizuar se në selinë e PD-së ndodhen snajper, tanke e ushtarë, duke nënkuptuar se thjesht po bëhen rikonstruksione në godinë, ndryshe nga çfarë komunikohet.

“Keni harruar që kemi edhe tanke, edhe snajper, marinsa, janë të gjitha marrëzira, është e trishtueshme që viti i ri shqiptarët i gjen në një xhalo të tillë të servirur, ndërsa ata përballen me problem reale, ekonomike. Ai do ta kthejë PD-në në bunkier, përpjekja e një njeriu për ta marrë peng PD-në. Për t’i përdorur demokratët si mish për top, në zyrën time mund të vini për një kafe që nesër se është e njëjta që ka qenë. Çfarë ndodh në tarracën e PD-së ato që janë thënë janë përtej imagjinatës së shfrenuar. PD ka një tjetër interes të jetë e hapur për demokratët. Edhe po të mos kishte mure PD-ja, ai do të ishte njeriu më i vetëm, edhe nëse ai sot do të ishte kreu i PD-së”, tha Basha.

Në lidhje me moslejimin e hyrjes në seli prej dy ditësh të Grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, ai e komentoi si një show të tyre për të larguar vëmendjen nga problemet reale të shqiptarëve.

“Është një nga ata, selia e PD-së është e hapur për të gjithë demokratët, është e vërtetë që po punohet, por po hapen sekretariate të reja në godinë dhe nuk ka akses në disa pjesë”, tha kryedemokrati.