Finlanda po zgjat shumicën e kufizimeve aktuale për parandalimin e përhapjes së COVID-19 deri në mes të shkurtit, pas së cilës shpreson t’i lehtësojë ato gradualisht, njoftoi të martën qeveria. Disa nga masat do të hiqen në fund të janarit, ndërkohë që grumbullimet në grup të fëmijëve dhe të të rinjve duhet të shmangen, tha qeveria.

Gjithashtu, kërkesat për mësimdhënien në universitete do të lehtësohen , në mënyrë që të zhvillohen më shumë leksione në klasa. Në fund të muajit do të hiqen edhe kontrollet kufitare brenda BE-së. Stacioni radiofonik “Yle” raportoi se kryeministrja e Finlandës Sanna Marin ishte optimiste se vendi do të kishte një lehtësim gradual të kufizimeve aktuale nga mesi i shkurtit e tutje, pasi të përfundonte vala e rasteve me Omicron. Megjithatë, Marin theksoi se masat janë të nevojshme gjatë situatës aktuale të pandemisë

Si kudo në Evropë, numri i infeksioneve të reja në Finlandë është rritur ndjeshëm javët e fundit, i nxitur nga përhapja e shpejtë e variantit Omicron. Instituti Finlandez i Shëndetit THL tha se priste që kulmi të arrihet në fund të janarit ose në fillim të shkurtit. Megjithatë, sipas shifrave të qeverisë, barra në njësitë e kujdesit intensiv është dukshëm më e ulët se ajo e shkaktuar nga variantet e mëparshme të virusit.