Nga Carlo Bollino/ Prej 27 vitesh po pres që të intervistoj Sali Berishën. 27 vite gjatë të cilave ai ka bërë gjithçka për të më dëbuar nga Shqipëria, pastaj duke më shmangur, duke u fshehur për të evituar pyetjet e mia dhe përballjen me realitetin, më keq se Çlirim Gjata që u betua se nuk ekziston duke mohuar edhe shtëpinë ku jeton vetëm e vetëm që të mos dalë në gjykatë përballë meje që e kam denoncuar për shpifje. Më në fund, pas 27 vitesh, dikush ia bëri pyetjet që do të kisha dashur t’ja bëja unë: Imer Mushkolaj, 44 vjeç nga Deçani ia doli në misionin në të cilin unë kam dështuar. Mbrëmë, i ftuar në një emision televiziv në Kosovë, i kërkoi llogari Sali Berishës për fajet e tij dhe për krimet e kryera në 31 vite politikë.

Ia renditi gati të gjitha: nga trafiku i karburantit drejt armatës serbe të Sllobodan Millosheviçit (operacion i turpshëm i mbetur i pandëshkuar, i bërë kundër popullsisë shqiptare të Kosovës duke nisur nga 1993 nga firma Shqiponja në pronësi të Partisë Demokratike) për të përfunduar me masakrën e 21 janarit 2011. Duke kaluar nga mashtrimet e firmave Piramidale që ai autorizoi, te 14 shtatori që ai udhëhoqi, nga zhdukja e Remzi Hoxhës që ai urdhëroi, te masakra e Gërdecit që ai favorizoi deri te urdhëri për të sulmuar me 8 janar selinë e partisë së tij.

Imer Mushkolajn nuk e njihja, siç e imagjinoj deri dje nuk e njihte pjesa më e madhe e shqiptarëve. Ndërsa sot në Tiranë nuk flitet për tjetër gjë. Më kujton atë që më ndodhi kur sapo erdha në Shqipëri në 1991 për të ndjekur zgjedhjet e para pluraliste, gjatë një konference për shtyp të transmetuar nga RTSH pyeta Ramiz Alinë nëse do të jepte dorëheqjen në rast humbjeje. “Kolegët” shqiptarë më panë të habitur dhe unë nuk kuptoja përse. Pastaj mbeta unë i habitur kur dola në rrugë dhe njerëzit ndalonin dhe donin të më jepnin dorën për të më pyetur se ku e gjeta atë kurajo për të bërë pyetjen.

Krahasimi mes Ramiz Alisë dhe Sali Berishës nuk është i ekzagjeruar, siç nuk është ai mes gazetarëve që i intervistojnë. Sot, ashtu si atëherë, pjesa më e madhe e gazetarëve shqiptarë dridhet përballë Sali Berishës, i cili nuk përzgjedh vetëm televizionet dhe moderatorët që mund ta intervistojnë, por pretendon të zgjedhë personalisht edhe “analistët” që mund të jenë të pranishëm në studio për t’i bërë “pyetjet”. Në të vërtetë, siç ndodhte me Ramiz Alinë, askush nuk i bën pyetje Sali Berishës, përveç Imer Mushkolajt.

Të gjithë të tjerët rrinë duke e dëgjuar me buzëqeshje aprovuese, edhe kur i thërret si dëshmitarë dhe përsërit “siç e dini askush nuk më ka akuzuar për korrupsion” dhe ata pohojnë me kokë. Ata pak të guximshëm, kur janë, nisin të bëjnë një pyetje të sikletshme me zë aq të ulët sa nuk kuptohet se çfarë po thonë, e pastaj marrin frymë të lehtësuar kur ai i ndërpret dhe ndryshon argument.

Sali Berisha si Ramiz Alia dikur, është i autorizuar të gënjejë përballë “gazetarëve” shqiptarë të cilët, gati të gjithë, duhet të quhen “gazetarë” kështu me thonjëza rreth emrit dhe duhet të skuqen pas leksionit profesional të dhënë nga Imer Mushkolaj. Për sa më përket duhet vetëm ta falenderoj, pasi prej 27 vitesh pyesja veten se si do të reagonte Sali Berisha nëse një gazetar do ta vinte përballë të vërtetave dhe falë Imerit tani e pashë.

Mbrëmë e pashë: Sali Berisha nuk çorientohet, vazhdon të gënjejë dhe ofendon vetëm ashtu siç ai di të ofendojë kë guxon të flasë lirisht. Mbrëmë gjithashtu mora konfirmimin se Sali Berisha nuk ka asnjë përgjigje për akuzat që rëndojnë mbi të dhe as një copëz prove që të mundë ta shfajësojë. Kështu kuptova se pse prej 27 vitesh Sali Berisha më shmang bashkë me pak kolegë të tjerë që do të donin t’i bënin disa pyetje të vërteta ashtu si unë: sepse kur ka përballë një njeri të lirë që i kërkon sqarime, reagon ekzaktësisht siç reagon një fajtor.