I Dërguari Special për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, do të vizitojnë sot Kosovën.

Ata do të qëndrojnë në Kosovë deri më 2 shkurt, ndërsa do të takojnë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi.

Të martën ata do të takojnë liderët e partive politike, ndërsa, Lajçak do të takojë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite është diskutimi i hapave të ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja.

Mesazhet kryesore të tyre për institucionet në vend pritet të jenë rifillimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të kaluara me Serbinë, përfshirë Asociacionin. Madje, sipas njohësve të procesit të dialogut, liderëve institucionalë do t’i parashtrohen edhe kërkesat e sekretarit amerikan, Blinken për gjetjen e zgjidhjes për të pagjeturit dhe marrëveshjen për energjinë në veri.