Duke i konsideruar si marrëdhënie vëllazërore ato turko-shqiptare, Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, ka dhënë një mesazh për të gjithë shqiptarët në vigjilje të vizitës së tij nesër në Shqipëri.

Përmes një shkrimi për ADN, Erdogan nënvizon rëndësinë që ka Shqipëria për Turqinë si vendi më i rëndësishëm për të në rajonin e Ballkanit.

“Turqia është një pjesë e pandashme e Ballkanit dhe Ballkani është një rajon i domosdoshëm interesi për Turqinë. Pikëpamja e Turqisë për Ballkanin është formuar nga historia dhe kultura e përbashkët. Sidomos gjatë dy dekadave të fundit, Turqia ka bërë çmos për të nxitur marrëdhënie më të ngushta dhe miqësore me vendet e Ballkanit. Shqipëria është qendra e kësaj perspektive. Turqia e sheh Shqipërinë si mike dhe si një aleat natyror. Turqia beson se rritja e mirëqenies dhe stabilitetit në Shqipëri do t’i shërbejë paqes dhe qetësisë në të gjithë rajonin. Në këtë aspekt, Turqia ka mbështetur gjithmonë me vendosmëri zhvillimin dhe sigurinë e miqve dhe Shqipërinë vëllazërore me ndjenjat më të përzemërta e të sinqerta, dhe është të vendosur për ta bërë këtë në të ardhmen”, nënvizon Presidenti turk.
Sipas tij Shqipëria është kthyer në një nga vendet ballkanike me të cilat marrëdhëniet e Turqisë janë më të qëndrueshme dhe pozitive.

“Bashkëpunimi në fushat sociale, kulturore dhe ekonomike po rritet çdo vit. Marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Turqi në 6 janar 2021 kanë qenë një pikënisje e re dhe historike. Si rezultat i kësaj vizite, midis Turqisë dhe Shqipërisë u nënshkrua Deklarata e Përbashkët Politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, e cila ka qenë në rendin e ditës prej vitesh, dhe marrëdhëniet mes dy vendeve u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik”, vijon Erdogan.

Duke e vënë edhe një herë theksin të bashkëpunimi ekonomiko-tregtar Presidenti i Turqisë thoë se synimi kryesor është zgjerimi i shkëmbimeve në rreth 1 miliard dollarë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Turqia ka investime mbi 3.5 miliardë dollarë në Shqipëri, duke përfshirë shërbimet kontraktuese. Kontributi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, e cila është në fuqi që nga viti 2008, në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe arritjen e këtyre shifrave ka qenë i madh. Në Shqipëri operojnë rreth 600 kompani turke të regjistruara dhe këto kompani jo vetëm që kontribuojnë në prodhim, por ofrojnë edhe punësim për rreth 15 mijë persona. Me këto shifra, Turqia është një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri.

Marrëdhëniet midis vendeve tona janë të dukshme për dimensionet e tyre humanitare dhe tregtare. Me pandeminë, diplomacia shëndetësore dhe investimet në shëndetësi i kanë dhënë një shtysë të re marrëdhënieve mes dy vendeve. Megjithëse aktivitetet e ndërsjella tregtare dhe turistike në mbarë botën u ndikuan negativisht vitin e kaluar për shkak të Covid-19, Turqia ofroi pajisje mjekësore dhe ndihmë vaksinash në 157 vende në mbarë botën. Në këtë kuadër, “Spitali i Miqësisë Turqi-Shqipëri”, i cili u ndërtua në Shqipëri me një kosto prej 70 milionë eurosh, me 150 shtretër, gjashtë salla operative dhe gjashtë poliklinika, përfundoi në 68 ditë dhe u hap në 21 Prill 2021.”, ka shkruan ndër të tjera Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan.

Ai do të vijë në Shqipëri mëngjesin e 17 janarit, për të parë nga afër frytet e ndihmës së shtetit turk për rindërtimin. Erdogan do të mbajë një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa pritet të miratohen edhe 7 marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ku përfshihen bashkëpunimi mes Agjencisë Anadolu dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Arkivit, në fushën e zbatimit të ligjit, dhe rinisë dhe sporteve.