Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviç, tha se nuk është zemëruar nga ofendimet e rënda të qytetarëve, por se do t’ua tregojë gjithmonë vendin, siç tha ai, atyre që nxisin urrejtje dhe ulen në kolltuqe.

Abazoviç, gjatë mbrëmjes së kaluar, është ballafaquar me qytetarët me të dalë nga televizioni publik, rtcg, ku kishte folur rreth krizës qeveritare në shtetin malazez.

Disa prej protestuesve të mbështetur nga partitë proserbe e kanë ofenduar në baza të kombësisë, por që politikani shqiptar nuk ka rënë në provokimet e tyre.

“Të ecim në rrugën e pajtimit dhe të dalim nga matrica e së shkuarës. Nuk më vjen keq për fjalët e shëmtuara të qytetarëve dhe mbroj të drejtën e tyre për të protestuar dhe shprehur pakënaqësinë. Shumë padrejtësi janë grumbulluar ndër vite, ndaj është e logjikshme që të ketë një reagim të tillë. Unë gjithmonë do t’ua tregojë se ku e kanë vendin ata”, ka shkruar Abazoviç në Facebook.

Ai ka thënë se nëse kanë mundësi të formojnë qeveri, ajo do të jetë qeveri e pajtimit.

“Të gjithë janë të mirëpritur: malazezë, serbë, boshnjakë, shqiptarë, kroatë, ortodoksë, katolikë, myslimanë, … Përkatësia nuk është e rëndësishme, por një ide! Le të dalim nga matrica – të pajtohemi Malin e Zi dhe të shohim përpara! Sigurohuni që Mali i Zi mundet”, përfundoi 36-vjeçari.

Theksojmë se politikani shqiptar gjatë intervistës ka deklaruar se “Qeveria aktuale ka përfunduar misionin e saj dhe në periudhën e ardhshme do të duhet të zgjedhë mes dy koncepteve – qeveri e pakicës apo teknike, ose të shkurtojë mandatin e Kuvendit dhe të shkojë në zgjedhje parlamentare”.

Ndryshe, Kuvendi i Malit të Zi ka përcaktuar tre seanca parlamentare gjatë muajit të shkurt që përfshijnë shkarkimin e Abazoviçit, shkurtimin e mandatit të Parlamentit dhe votëbesimi i Qeverisë.

Ndërkohë, siç raportoi më herët Vijesti.me, njëri nga të grumbulluarit kishte bërtitur mbrëmjen e kaluar para Abazoviç, duke thënë se: “Shqiptarët nuk do të na komandojnë”. Por, kundër një deklarate të tillë kanë reaguar disa protestues të tjerë.

“Dil o vogëlush” dhe “I more lekët Dritan?”, ishin disa nga thirrjet tjera, me të cilat u përball Abazoviç.