Kryeministri Edi Rama, i ftuar në “Open” ka komentuar debatin në FSHF duke thënë se ka patur një bisedë me kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj ndërsa thekson se nuk e ka dëgjuar përgjimin.

Nga ana tjetër, Rama tregoi se çfarë bisedoi me Veliajn për këtë cështje dhe faktin që u përmend SPAK duke bërë me dije se nuk ka aspak lidhje me këtë.

Edi Rama: Nuk është fare tema jonë si qeveri. Unë thjesht kam bërë një bisedë me kryetarin e Bashkisë pasi doli një përgjim që nuk e kam dëgjuar, refuzoj të dëgjoj përgjime sepse të gjitha përgjimet janë në kontekste, të dala në konteksti prodhojnë diçka tjetër. Dhe po të na kishin regjistruar tani cfarë folëm e të na fusnin live, ishte toni tjetër.

Njerëz jemi ne, mish, kocka, gjak. E mora ta pyes çfarë është dhe më shpjegoi kontekstin, pozicionin e tij, abuzimet e federatës, të gjithë procesin e zgjedhjeve që sipas tij po bëhet përveç çdo standardi. Po i thashë për çfarë e përmend SPAK-un? Kur them që këto përgjime bëhen bazë abuzimi se i kam vuajtur në kurriz. SPAKu nuk ka lidhje me këtë. Është një fjalë e thënë në muhabet, por SPAK nuk ka kompetencë të merret.