Kryeministrja daneze Mete Frederiksen deklaroi se duke filluar nga 1 shkurti në vend do të hiqen të gjitha kufizimet që janë në fuqI. Danimarka bëhet vendi i parë në Bashkimin Europian që merr një vendim të tillë pas përhapjes së variantit të Omicron. Vendimi do të miratohet dhe nga parlamenti danez, ku qeveria ka mazhorancën dhe miratimi shihet thjesht si një formalitet.

Vendimi i qeverisë vjen në një moment në të cilin në Danimarkë janë rritur rastet e reja me Covid, sa dhe vetë kryeministrja u shpreh se mund të duket e cuditshme dhe paradoksale heqja e masave. Vendimi shihet më tepër si i mbështetur në shpresën se në muajt e ardhshëm Covid-19 do të jetë një sëmundje endemike dhe se fushata e vaksinimit do të vazhdojë të mbajë të ulët numrin e shtrimeve në spital.

Javën e fundit janë shënuar 4431 raste për çdo 100 mijë banorë, por në spitale janë shtruar gjithsej 938 persona, nga të cilët 40 në terapi intensive: 16 për çdo 100 mijë banorë. Dhe dy vende të tjera të Bashkimit Europian, Irlanda dhe Vendet e Ulëta anuluan një pjesë të kufizimeve, por jo të gjitha.