Kritikat mbi organizimin e festave në rezidencën e tij gjatë muajve të parë të bllokimit kanë vënë në vështirësi të madhe kryeministrin britanik Boris Johnson.

Pas publikimit të lajmit për një festë të mbajtur në kopshtin e Dowing Street më 20 maj, Johnson kërkoi falje me një fjalim të shkurtër në parlament, duke pretenduar se kishte vepruar në mirëbesim.

Megjithatë, fjala e tij nuk e bindi një pjesë të partisë së tij, e cila zyrtarisht kërkoi dorëheqjen e tij.

“Ka mbaruar”, tha një ministër në qeverinë e tij për BBC News në mënyrë lakonike, duke preferuar të mbetet anonim.

Përshtypja nga disa komentues britanikë është se mbështetja ndaj Johnson brenda partisë konservatore është aq e ulët sa do të detyrohet së shpejti të japë dorëheqjen.

Në fjalën e tij në parlament, Johnson pranoi se e dinte se “ka gjëra që nuk i kishte bërë mirë dhe për këtë shkak duhet të mbante përgjegjësi”, por shtoi se kopshti është një zgjatim i zyrës dhe është përdorur vazhdimisht, pasi sipas tij, qëndrimi në një mjedis të hapur ishte në vazhdën e masave të marra për parandalimin e koronavirusit. Ai tha se teknikisht të 40-të personat që morën pjesë në festë me datë 20 maj nuk shkelën asnjë rregull.

Disa deputetë konservatorë e kanë kritikuar Johnson, pasi sipas tyre, reflektimi i tij nuk ka qenë i plotë. Të tjerët e konsiderojnë pjesëmarrjen në festë si një arsye e mjaftueshme për të kërkuar dorëheqjen e tij.

Në një intervistë për ITV, ish-ministrja e emigracionit në qeverinë e Theresa May, Caroline Nokes tha se Johnson është shndërruar në një barrë për partinë e tij dhe duhet të vendosë nëse do ta dërgojë atë në shtëpi tani, apo do të presë edhe tre vjet të tjera deri në zgjedhjet e ardhshme.

Johnson prej javësh po përjeton periudhën më të komplikuar të mandatit të tij si kryeministër.

The Economist shkruajti se ideja që Johnsonizmi mund të jetë një model i ri qeverisjeje si Thatcherizmi dhe Blairizmi tani duket i pavend.

Ai arriti të bëhej lider i konservatorëve dhe të fitonte zgjedhjet e 2019 duke u fokusuar në disa pika të forta, duke përfshirë idenë për ta bërë Britaninë e Madhe një vend të projektuar gjithnjë e më shumë jashtë Evropës, e aftë për të tërhequr kompanitë më të mira dhe talentet individuale nga e gjithë bota dhe për të realizuar shkëmbimet tregtare më çdo vend tjetër të interesuar.

Në këto fronte, të konsideruara nga komentatorët si shtyllat e “Johnsonizmit”, nuk është bërë asnjë përparim i dukshëm dhe pak gjasa ka që gjendja të përmirësohet së shpejti.

Sipas OBR-së, një agjenci e pavarur qeveritare, PBB-ja e Britanisë së Madhe u tkurr me 0.5 për qind në katër muajt e parë të vitit 2021 për shkak të konfuzionit dhe riorganizimit si pasojë e marrëveshjes së re tregtare mes Britanisë së Madhe dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në një plan afatgjatë, Brexit, do t’i kushtojë ekonomisë së Britanisë së Madhe rreth 4 për qind të PBB-së.

Rritja ekonomike në vend ka ndalur dhe imazhi publik i kryeministrit tani duket i dëmtuar nga premtimet e pambajtura dhe skandalet e vazhdueshme të administratës së tij.

Shkalla e popullaritetit është 23 për qind, duke rënë në rreth njëzet pikë që nga vera. The Conversation vëren se disa kryeministra britanikë kishin një popullaritet më të madh se kryeministri aktual në kohën kur dhanë dorëheqjen.

Si brenda dhe jashtë partisë konservatore flitet hapur se kush mund ta zëvendësojë Johnson në javët apo muajt e ardhshëm. Dy emrat që qarkullojnë më shumë janë ata të ministrit të Ekonomisë Rishi Sunak dhe Liz Truss, kryetare e negociatorëve britanikë për Brexit.