Kreu i PD-së, Lulzim Basha dëshmoi sot në prokuroria mbi 2 orë lidhur me dhunën në PD gjatë protestës së 8 janarit. Prania e tij në prokurori ka bërë që deputeti socialist Erion Braçe t’i kërkojë të dëshmojë edhe për 21 janarin ku mbetën të vrarë 4 protestues.

Sipas Braçes, Basha duhet të dëshmojë mbi këtë ngjarje të rëndë dhe jo ta quajë atë një çështje të mbyllur, në të kundërt ai do të vijojë të jetë njësoj si Sali Berisha.

Deputeti i kërkon Bashës që të ndahet përfundimisht nga berishizmi dhe të flasë për pushkatimet në bulevard, që në 2013 ka qenë Ministër i Brendshëm.

“Lulzim Basha e quan të mbyllur 21janarin, në derë të prokurorisë! Pyetje Lulzim, kush e pushkatoi Aleks Niken? E sheh që nuk është mbyllur gjë? Nxirre berishizmin prej teje dhe dëshmo! Ke qenë ministër i Brendshëm ditën e pushkatimeve. E lehte t’i ikësh Sali Berishës fizikisht, por ai është brenda teje! 21janari është prova! Ti as do që të pyetesh për të, e quan të mbyllur! Boll dëshmove për dhunën e tij ndaj teje, koha të dëshmosh për pushkatimet e 21 janarit! Kështu sic jeni, jeni njësoj, siç në këtë foto”, shkruan Braçe.

Pas dëshmisë së tij në prokurorinë e Tiranës, kur u pyet nëse do të rihapet dosja e 21 janarit, Basha tha se kjo çështje është mbyllur dhe nuk duhet të fokusohemi më në të.

” E para e punës që dosja është proceduar në mënyrë të plotë në gjyqet shqiptare. Dhe e dyta, siç ju thashë, me gjithë respektin dhe kohën e gjatë që kaloni në veçanti në janar që është gjithmonë ftohtë dhe ju që qëndroni këtu jashtë duke pritur, por më lejoni që mos ta kthejmë këtë në një kalvar të pafund pyetjesh, por të fokusohemi tek çështjet kryesore për të cilat ndodhemi këtu”, tha Basha