Në të gjitha akset rrugore të vendit po punohet për të garantuar qarkullimin pa problematika të të gjitha automjeteve, pavarësisht situatës së motit.

Në terren janë të angazhuara një numër i madh mjetesh të rënda dhe punonjësish të cilat kanë bërë të mundur vijimin normal të qarkullimit në të gjitha akset nacionale.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi ishin në Qafë Thanë ku ndoqën nga afër punën që po bëhet për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor, pavarësisht reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulëta.

Drejtori i ARRSH sqaroi se grupet e punës kanë qenë në terren në çdo moment për të përballuar situatën e krijuar si pasojë e motit të rënduar.

“Janë 1100 kilometra të cilat menaxhohen nga kontratat që kemi me Bankën Botërore. Kemi të angazhuara 116 borëpastruese. Mbi 380 mjete të tjera dhe 820 punonjës që punojnë përditë për mirëmbajtjen me efikasitet të të gjitha këtyre akseve dhe siç është reflektuar edhe në media gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi pasur akse të gjitha të hapura me përjashtim të zonave të veçanta ku kemi pasur nevojë për të lëvizur me zinxhirë, por vetëm për pak kilometra”, u shpreh Berberi.

Janë marrë të gjitha masat edhe për ditët në vijim për të siguruar që qarkullimi i automjeteve të vijojë pa problematike në të gjitha akset rrugore të vendit.

Ministrja Belinda Balluku vlerësoi punën e bërë deri më tani, ku pavarësisht reshjeve dhe temperaturave të ulëta, akset rrugore ishin të hapura për qytetarët dhe mbi të gjitha duke ofruar siguri rrugore.

“Jemi të përgatitur për gjithçka tjetër që do të sjellë ky dimër. Ja kemi dalë me sukses, Autoriteti Rrugor Shqiptar, të gjitha kompanitë që janë të lidhura me kontratë për mirëmbajtjet dimërore në të gjitha akset e Shqipërisë dhe sigurisht Policia Rrugore që na ka dhënë një suport mjaft të vyer. Të gjithë së bashku, në koordinim edhe me qytetarët, drejtues të automjeteve, që kanë marrë seriozisht thirrjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të gjitha njoftimet që ne kemi bërë, dy herë në ditë në të gjitha mediat dhe kemi një rezultat të mirë. Kemi kaluar një sfidë e cila me të vërtetë mund të kishte pasoja siç ka pasur dhe në vende të tjera. Unë dua t’ju falënderoj”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se të gjitha kompanitë vijojnë të jenë të terren me të gjitha kapacitetet e tyre për t’ju përgjigjur çdo situate. Falë punës së bërë, theksoi Balluku, për herë të parë gjatë këtij sezoni veror ishte e hapur për qarkullimin edhe rruga që të çon në Thethit duke bërë që shumë turistë të vizitojnë këtë zonë pavarësisht reshjeve me intensitet të lartë të dëborës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe drejtori i ARRSH-së, përsëritën apelin për drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, të respektojnë sinjalistikën dhe njoftimet e autoriteteve.