Oficerët e policisë me uniformë dhe rroba civile, në Austri do të rrisin kontrollet për zbatimin e masave kundër koronavirusit në dyqane, institucione hotelierike dhe në atraksione të njohura duke filluar që nga e marta.

“Ne do të rrisim më tej kontrollet”, raportoi sot Ministri i Brendshëm Gerhard Karner. Sipas qeverisë, operacioni synon të monitorojë bizneset që nuk janë përputhje me rregulloret.

Kjo vlen për bizneset që nuk e marrin seriozisht detyrimin për të kryer kontrollet, si dhe për personat e pavaksinuar që mund të hyjnë vetëm në dyqanet që shesin mallra esenciale.

“Personat që nuk janë vaksinuar ende, i janë nënshtruar masave kufizuese që nga mesi i nëntorit, ku u raportuan mbi 12,000 shkelje gjatë 1.6 milion kontrolleve”, tha Karner.

“Të gjitha aktivitetet e kryera nga policia, nga kontrollet e trafikut tek ndjekja e krimit, përfshijnë gjithashtu kontrolle lidhur me zbatueshmërinë e rregulloreve për parandalimin e Covid-19”, tha ai.

“Ndërkohë, 5100 persona u ndaluan të hyjnë në vend në kufi”, shtoi Karner.

Vendimi i Austrisë për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin kundër Covid-19 hyn në fuqi në shkurt, pasi varianti më i transmetueshëm Omicron përhapet me shpejtësi, me pothuajse 11,000 infeksione të reja të regjistruara ditën e kaluar, në një vend me afro 9 milionë banorë.