Nga Adriatik Doçi/ Armand Duka ka përdorur futbollin për interesa personale dhe familjare, duke miksuar aktivitetin financiar të FSHF-së me biznesin e tij të pularisë, përmes një skeme klienteliste dhe kontratave abuzive. Ky është një nga konstatimet e Autoritetit të Konkurrencës, përmes një raporti të posaçëm për pozitat monopoliste të FSHF-së, deformimin e tregut dhe veprimtarinë ekonomike me natyrë korruptive. FSHF me në krye Dukën ka kontraktuar vetëm DIGITALB duke i dhënë drejtën e transmetimit të ndeshjeve zyrtare, në një kohë kur Duka është aksioner tek DIGITALB, me anë të kompanisë së pularisë A.I.B.A.

FSHF me në krye Dukën ka kontraktuar AMA Caffee për sponsorizimin, në një kohë kur Duka është aksioner tek AMA Caffee. Pra, Duka ka lidhur kontrata me vetën e tij, një rast i paprecedentë abuzimi. Faktet janë një sfidë dhe gurë prove për prokurorinë. Dhe këto dy fakte janë vetëm një pjesë skemës 20-vjeçare të kanalizimit dhe ‘avullimit’ të parave të futbollit.

Autoritetit të Konkurrencës ka nxjerrë në pah edhe miliona euro të ardhura të FSHF-së, para të cilat nuk dihet se ku dhe si kanë përfunduar, për shkak të errësirës që karakterizon FHSHF-në në mbretërimin 20-vjeçar të Armand Dukës. FSHF siguron të ardhura nga buxheti i shtetit shqiptar, nga UEFA, FIFA, nga shitja të drejtave televizive, nga shitja e biletave, nga sponsorizimet, reklamat etj. Vetëm nga UEFA, FIFA dhe qeveria FSHF ka marrë 934 975 000 ose rreth 9.3 milionë USD për periudhën 2015-2018.

“Të ardhurat kryesore te realizuara në vitet (2015-2018) nga FSHF vijnë kryesisht nga amortizimi i granteve te ardhura mbi 50% të totalit të të ardhurave. Amortizimi i granteve ne te ardhura sipas shënimit të të ardhurave në pasqyrat e bilanceve përfaqësojnë grantet e përfituara sipas dhuruesve si: UEFA, FIFA dhe Qeveria Shqiptare. Grantet e përfituara janë të ndara sipas përfituesve: UEFA 738,365 000 lekë, FIFA 120,910 000 leke dhe qeveria Shqiptare 75,700 000 lekë”, thuhet në raport.

Të ardhurat nga të drejtat televizive janë rreth 400 000 000 lekë në vit, ose rreth 12 mijë USD në katër vite, ku përfshihen shitja e të drejtës televizive të skuadrës kombëtare – UEFA, shitja e shitja e të drejtës televizive të skuadrës kombëtare – të tjerë, dhe shitja e të drejtës televizive për kampionatin shqiptar. Dhe këto nuk janë të ardhurat e vetme. FSHF merr të ardhura edhe nga sponsorimet. Kompani të ndryshme janë të interesuara që të reklamojnë logot e tyre gjatë ndeshjeve, në këmbim të pagesave.

Po ku përfundojnë gjithë këto para?! Ajo që theksohet në raportin e Autoritetit të Konkurrencës është fakti se FSHF u ka dhënë klubeve shqiptare të futbollit 600 mijë euro nga të ardhurat nga shitja e të drejtave televizive. Nuk ka të dhënë të tjera se ku përfundojnë miliona euro që arkëton çdo vit FSHF në drejtimin e Armand Dukës. Por, ndoshta është pikërisht ky mister që qëndron pas luftës së Armand Dukës për të qëndruar në krye të FSHF-së për një mandat të gjashtë, duke krijuar kështu një dinasti sundimi dhe abuzimi./Shqiptarja.com