Në vitin e ardhshëm shkollor do të zbatohet marrëveshja për unifikimin e abetares mes dy vendeve, Shqipëri dhe Kosovë. Ministrja e Arsimit Evis Kushi e ftuar në Report Tv tha se është ngritur grupi i punës dhe po punohet që abetarja t’iu vihet në dispozicion nxënësve dhuratë për 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas Kushit synohet që abetarja e unifikuar të zbatohet në të gjithë diasporën.

“Ditën kur u zhvillua mbledhja e dy qeverive ramë dakord që abetarja unike do jetë në dispozicion për ë gjithë nxënësit vitin akademik 2022-2023. Për 110 vjetron e Pavarësisë nxënësve t’iu bëjmë këtë dhuratë të bukur.

Kurrikulën e kemi të unifikuar me Kosovën, por për tekstet ne për çdo lënde dhe çdo vit kemi tre alternativa, tre tekste dhe janë vetë mësuesit e çdo shkolle që mblidhen çdo vit për të vendosur se cili do jetë teksti që do përdorin, nga kjo procedurë ne kemi përjashtuar abetaren. Qëllimi ynë është që të përdoret edhe në diasporë kudo ku ka shqiptarë”, tha Kushi për Report Tv.