Ylli Manjani ka reaguar pas deklaratës së një ditë më parë të Monika Kryemadhit, e cila tha se djegia e mandateve dhe mos pjesmarrja në zgjedhjet vendore, ishte një gabim i rëndë për opozitën.

Manjani shkruan se ndjesa nuk mjafton, duke nënkuptuar se ajo duhet të japë dorëheqjen.

“Monika ka hyrë në vitin e pestë në krye të LSI dhe vetëm kërkon ndjesë. Ndjesë për LSI e Ilirit e ndjesë për LSI e vet.

Ndjesa zakonisht pranohet, por që “djegia e mandateve dëmtoi opozitën” nuk më bind shumë.

Faktet ulërasin se ajo e kjo opozitë që është sot, si në parlament ashtu edhe jashtë tij e kishte dhe ende e ka shejtanin brënda.

Më mirë djepi bosh se shejtani brenda- thonë mirditorët.

Ndaj them se më shumë sesa djegia e mandateve, opozitën e ka dëmtuar vetvetja; kryetarokracia; mbyllja e plotë ndaj shoqërisë e nevojave të saj për përfaqësim real.

Opozita duhet ribërë nga fillimi.

Ndjesa nuk mjafton…”, shkruan ish-ministri dhe zyrtari i lartë i LSI-së.

Me sa duket, gjërat nuk janë rrëmujë vetëm në PD, por edhe tek LSI-ja, ku me shumë gjasë do të rikthehet Ilir Meta si kryetar, pasi të lërë Presidencën.

Kjo, duke qenë se nën drejtimin e Monika Kryemadhit, LSI shkoi në origjinën e saj, duke marrë vetëm 4 deputetë, nga 19 që kishte me Metën kryetar.