Xavi Hernández, trajneri i Barcelonës, ​​nuk e ka konsideruar të mirë barazimin e arritur nga “Sánchez Pizjuán” ndaj Sevillas. Kjo edhe për shkak të kundërshtarit që mbeti me dhjetë lojtarë, pas përjashtimit nga loja të Koundé. “Humbëm dy pikë, kemi merituar të fitojmë. Edhe kur ishim 11 kundër 11 kemi bërë mirë.

Unë kam parë një Barçë me personalitet, kjo është ajo që duam. Skuadra po rritet. Ne ishim mirë në presionin lart, rikuperimin dhe qarkullimin e topit. U paraqitëm shumë mirë, pavarësisht barazimit. Kjo Barçë është afër asaj që duam, protagoniste dhe e guximshme. Është rruga e duhur”.

Ndeshja ishte pozitive, por trajneri nuk mundi ta hiqte nga koka rezultatin: “Do ta kem të vështirë të fle, sepse duhet të kishim fituar. Sevilla ka një ekip veteranësh, e di se çfarë bën dhe punon shumë mirë taktikisht”.

Ankesa e tij për mos marrjen e fitores u përsërit gjatë gjithë konferencës për shtyp: “Pika nuk na shërben, më i keqi ishte rezultati. Ndjenjat janë shumë të mira, por idealja do të ishte marrja e tri pikëve. Zona e Champions-it? Do të përpiqemi vitin e ardhshëm”.