Ambasadorja amerikane Yuri Kim, përmes një statusi në Twitter ka komentuar vizitën e të dërguarit special të SHBA për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar në Tiranë. Kim shprehet se Escobar përcolli mesazhe të qarta se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe anëtarësimin në bashkimin Europian. Sakaq, Kim shkruan se pret me padurim forcimin e marrëdhënieve, rritjen e bashkëpunimit të mbrojtjes si aleatë të NATO-s.

“Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Escobar falënderoi Shqipërinë për partneritetin e fortë dhe ripohoi mbështetjen e fortë të SHBA-së për Shqipërinë anëtarësimin në BE. Ai nënvizoi fokusin e SHBA-së në luftën kundër korrupsionit, mosndëshkimit dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Ne presim me padurim forcimin e marrëdhënieve: rritjen e bashkëpunimit tonë të mbrojtjes si aleatë të #NATO-s ; krijimi i më shumë mundësive për tregti dhe investime; duke punuar së bashku për integrimin rajonal dhe çështjet globale, veçanërisht si anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në 2022” shkruan Kim në Twitter.

I dërguari special i SHBA për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar, vizitoi dje Tiranën ku takoi kreun e PD, Lulzim Basha, ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe në fund kryeministrin Edi Rama, ndërsa nuk pati në agjendë një takim të planifikuar me Presidentin Ilir Meta. Kjo vizitë e Escobar në Tiranë është një tjetër ‘grusht’ i madh amerikan në fytyrën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për përpjekjet e tij për të rimarrë PD-në.

Vizita e Escobar në Tiranë, ishte vetëm dy ditë para Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha, i cili është i shpallur ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë. Vetëm dy ditë më parë, ambasada e SHBA-së, tha se vizita e tij është për të konfirmuar gjithashtu vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Duket si një mesazh i drejtëpërdrejtë ndaj Berishës nga ambasada e SHBA në këtë javë vendimtare të luftës së tij, jo vetëm kundër Lulzim Bashës, por edhe vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto ditë janë shumë të rëndësishme për Partinë Demokratike. Kujtojmë se zgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike do të bëntë forcën më të madhe opozitare në vend ‘non grata’ në SHBA, sipas një deklarate të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.