Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bëri të ditur se ditën e nesërme pritet që të miratohet opinioni final i Komisionit të Venecias në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut.

Balla shton më tej se pas këtij vendimi, procedura parlamentare parashikon edhe disa afate pas kësaj procedura, deri në prezantimin e seancës plenare.

“Natyrshëm që është një çështje me një procedurë parlamentar, një çështje e karakterit teknik, kuvendi ka kohën e nevojshme përpara për ta marrë në shqyrtim. Deri në muajin maj, që përfundon afati, ndërkohë që kuvendi ka një agjendë të vetën, të përbashkët të këshillit të legjislacionit dhe komisionit dhe po ecin sipas agjendës. Në këtë agjendë është ndërthurur edhe opinionin i Venecias, që pritet të miratohet nesër ose pasnesër, kështu Kuvendi i Shqipërisë është i detyruar të presi opinionin përfundimtar. Procedura parlamentare parashikon edhe disa afate pas kësaj procedura, deri në prezantimin e seancës plenare”, u shpreh Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së komentoi edhe qëndrimin e Presidentit Ilir Meta mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet vendore të 2019. Balla tha Gjykata Kushtetuese është organi më i lartë, vendimi i të cilit nuk mund të interpretohet dhe nuk mund të apelohet në shkallë të tjera.

“Ka një rregull që është e shkruar mbi të gjithë rregullat e tjerë, mendoj se duhet ta mirëkuptojmë të gjithë. Vendimet e gjykatës kushtetuese është në të njëjtën baraspeshë me kushtetutën vetë. S’ka më një shkalla tjetër ku të apelosh, çdo përpjekje për të mos njohur vendimit e GJK është një përpjekje që nuk i bën nder asnjë institucioni., Kjo çështje ka marrë fund këtu. Unë e kam thënë në momentin e shpalljes së vendimit, është i rëndësishëm sepse lidhet me kontekstin e zhvillimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Pati një përpjekej për t’ju hequr shqiptarëve të drejtën për të votuar. Në 30 qershor ishte një moment i rëndësishëm ku çdo palë mori mësimet e veta! Është vetëm populli ai që mund të caktojë kush do jetë ose nuk do jetë, një e drejtë e madhe që fitoi më 30 qershor. Ajo që ka prevaluar në opinionet e Venecias ishte pikërisht e drejta e qytetarëve për të zgjedhur”, tha Balla.

Në lidhje me ngritjen e komisionit për çështjet zgjedhore, Balla deklaroi se është mbyllur pothuajse 95% e punës për përcaktimin e punës së komisionit.

“S’ka të bëjë me çështjet e brendshme të PD sepse ajo e ka grupin e saj parlamentar që funksionon në mënyrë shumë institucionale. PD ka një agjendë të cilën e ndjek në aspektin e punës së saj. Një çështje që ka të bëjë me objektin e komisionit të reformës zgjedhore kërkon një punë sqimëtare nga ana e atyre që janë ngarkuar për ta bërë këtë punë. Në këtë këndvështrim mendoj se e kemi mbyllur 90-95% për përcaktimin e punës së komisionit. Është çështje që kërkon më shumë kohë për t’u konsultuar mes palëve”, u shpreh Balla.