Kopshti Zoologjik i Tiranës, tërësisht i transformuar dhe i rikonceptuar për t’iu përshtatur vizitorëve, por edhe kafshëve që do të jetojnë aty, është në rrugë të mbarë për të përfunduar brenda një kohe të shkurtër. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vizitoi kantierin në të cilin po kryhen tashmë punimet e fundit, tha se ky investim është dhuratë për fëmijët e kryeqytetit.

“Kopshti Zoologjik do i shtojë patjetër vlerë Tiranës, e sidomos lagjes këtu, e cila edhe më parë kishte vlerë, por imagjino një Kopësht Zoologjik, që lëngonte prej vitesh – si shumë prej kafshëve që kanë qenë pjesë e komunitetit zoologjik këtu, ashtu lëngonte edhe komuniteti kur shikonte se Kopshti Zoologjik ishte kthyer në një landfill. Sigurisht, punët nuk bëhen të gjitha menjëherë. Filluam njëherë nga Sheshi “Skënderbej”, pastaj Pazari, pastaj Unaza e Vogël, tani vazhdon Unaza e Madhe, Kalaja, Liqeni dhe më në fund, jemi pak kohë larg nga hapja e Kopshtit Zoologjik,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se janë porositur edhe lloje të tjera kafshësh, që do i shtohen Kopshtit Zoologjik. “Kemi porositur, me këmbënguljen dhe mundësitë e kryeministrit, për disa kafshë ekzotike, luanë, tigër, të cilët janë në proces për të ardhur këtu. Edhe kjo procedurë ka burokracitë e saj sepse nuk është aq e lehtë transporti i kafshëve të tilla. Por, më vjen mirë që 90% e shtëpive të specieve që kishim, apo të tjerat që kemi në plan për t’i sjellë në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, tashmë janë gati,” u shpreh ai.

Sa i takon gjelbërimit, Veliaj tha se kopshtit do t’i shtohen edhe rreth 3 mijë pemë. “Për të qetësuar të gjithë ata që ulërasin sa fillon një punë, kemi zhvendosur fizikisht tre pemë, për të bërë një parking me 75 makina, që i shërben Kopshtit Zoologjik dhe një komuniteti që, siç e dini, jeton në një nga nyjet më nevralgjike të qytetit. Sikur vetëm nga makinat që rrinë në rrethrrotullim për të pritur të futen në parkim, çlirohet edhe një tjetër nyje e Tiranës. Tre pemë u zhvendosën, ndërkohë po mbjellim 3 mijë të tjera,” theksoi kryebashkiaku.

Veliaj shtoi se, është shumë e rëndësishme që të bëjmë histori më shumë sesa histeri. “Këtu po bëjmë histori me një mjedis fantastik që do i shtohet qytetit. Po punojmë edhe për disa hapësira të tjera. Edhe në liqenin e Farkës duam të mbarojmë të gjithë pedonalen atje dhe të sigurohemi se edhe ajo hapësirë i kushtohet çlodhjes, argëtimit, ajrit të pastër. Mund të ketë shumë vërejtje për Bashkinë e Tiranës, por për disa fusha, siç janë shkollat, siç është pastrimi, por sidomos gjelbërimi dhe hapësirat e gjelbra, them që kemi bërë diferencën me mënyrën si e gjetëm në vitin 2015 kur nuk ishte mbjellë asnjë pemë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Projekti transformues i Kopshtit Zoologjik parashikon riorganizimin e hapësirave për kafshët dhe punonjësit, vendosjen e ndriçimit rrugor dhe rrjetin e linjave rezervë për internet telefoninë, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të ndotura, trajtimin e hapësirave të gjelbra, plotësimin me elemente të mobilimit, si dhe krijimin e hapësirave për pushim, argëtim e piknik.