Instituti i Shëndetit Publik informoi sot qytetarët se mund të vaksinohen njëherësh kundër COVID-19 dhe gripit stinor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot një video informuese, ku ekspertja e ISSH-së, Iria Preza informon qytetarët mbi procesin e vaksinimit.

Sipas saj, qytetarët mund të vaksinohen kundër COVID-19 dhe gripit stinor në një ditë ose në ditë të ndryshme, pa pasur afate kohore pritje nga njëra vaksinë te tjetra.

Po ashtu Instituti i Shëndetit Publik (ISSH) thekson se “personat që dyshojnë se janë me COVID-19 në bazë të shenjave klinike apo që janë në pritje të përgjigjes së një tamponi, nuk rekomandohet të vaksinohen menjëherë me vaksinën ndaj COVID-19”.

“Ata mund të vaksinohen me vaksinën ndaj COVID-19 sapo të përjashtohet diagnoza e COVID-19”, thekson ISSH.